“Lëndë” apo “Përmbajtje”?

Tungjatjeta!

Së pari kërkoj ndjesë për përgjigjen e vonuar. (Mundet ta kem humbur fillin e komenteve këtu, ose platforma nuk sinjalizon kur ka përgjigje/komente të reja.)

Shkruani: “Etimologjikisht ama, dhe nëse e shohim situatën me preskriptivizëm, të dyja fjalët qëllojnë të jenë me rrënjë shqipe.” Unë nuk vura këtë në dyshim. Vura nevojën për të sajuar një term të ri, të përkthyer me mundim nga italishtja, ndërkohë që shqipja kishte tashmë një term të përshtatshëm. Unë edhe mund t’i hyj parjes së “situatës” me “preskriptivizëm”, por nuk e di se ç’do të thotë kjo. Së pari do të duhej përkufizuar “preskriptivizmi”. Fjalorët që konsultoj zakonisht, nuk e kanë termin.

Shkruani: “Çështja e semantikës është pak tangenciale”. Unë besoj se ana semantike (për lexuesin pa përvojë: semantikë është dega e gjuhësisë që merret me kuptimin e njësive gjuhësore) është e dorës së parë në përkthime.

Shkruani: “Për sa i përket gjatësisë, në rastin tonë nuk hasim në kufizime me asnjërën nga fjalët.” Mundet edhe të jetë kështu. Por, kur flas për ekonomi të përkthimit në programe, nuk kam parasysh vetëm botën wiki, por edhe programe dhe platforma të tjera.

Shkruani: “Nëse një fillestar sheh "lëndë e fshehur" ai e ka të vështirë të kuptojë ekzaktësisht se çfarë po lexon pa hulumtuar më shumë mbi shënimin derisa të kuptojë kontekstin. Kjo për arsye se termi "lëndë" për një pjesë të madhe të popullsisë ndërlidhet fuqishëm me konceptin fizik të materies … Kjo shkakton konfuzion te lexuesi në këtë drejtim. Nga ana tjetër, leximi "përmbajtje e fshehur" sjell më lehtësisht në mendje censurën që mund të ketë ndodhur (që është dhe rezultati i kërkuar).” Këtu bëhen përgjithësime për të cilat ju nuk keni statistika mbi të cilat t’i bazoni. Para se të arrihej te koncepti i materies, nxënësit praktikonin për vite konceptin e “lëndëve mësimore”. Është e vështirë të besohet që fjala “lëndë” së pari t’u sjellë materien dhe çështjet filozofike në mend dhe jo kuptimin tjetër…

Besnik b (talk)10:47, 8 October 2023