“Lëndë” apo “Përmbajtje”?
Përshëndetje! :-)
E vlerësoj mundimin për të argumentuar përzgjedhjen tënde. Për sa i përket sajesës, në një mënyrë ose në një tjetër, të gjitha fjalët janë sajesa (megjithëse e kuptoj se ç'do të thuash). Etimologjikisht ama, dhe nëse e shohim situatën me preskriptivizëm, të dyja fjalët qëllojnë të jenë me rrënjë shqipe.
Në lidhje me semantikën, përsëri e kuptoj ç'do të thuash. Emërtimi i veprave të ndryshme thjesht si "përmbajtje" mund të jetë përgjithësim zhvlerësues që i bën ato të ngjajnë thjesht si "lëndë e parë" (për t'u shfrytëzuar ose jo për para). Personalisht për këtë arsye më bezdis pak termi content creator që ka filluar të përdoret shpesh këto kohë në botën e rrjetit. Megjithatë, siç sapo e përdora, dhe termi lëndë nuk ngjan të jetë më mirë në atë këndvështrim.
Çështja e semantikës është pak tangenciale në rastin tonë ama pasi ne kërkojmë pikërisht një term përgjithësues që të sherbejë për të nënkuptuar lloje të ndryshme përmbajtjesh shkrimore si artikuj, faqe ndihmëse, faqe teknike, etj. Përndryshe mund të përdornim thjesht "artikull", nëse mesazhi do të përdorej vetëm në rastin e artikujve për shembull.
Për sa i përket gjatësisë, në rastin tonë nuk hasim në kufizime me asnjërën nga fjalët. Puna ime në projektet Wiki rrotullohet më së shumti në lehtësimin e jetës së fillestarëve. Zakonisht kur punoj me mesazhe këtu në TranslateWiki marr në grup mesazhe që kanë mundësi të hasen bashkë dhe i përshtas për të ardhur sa më natyrshëm dhe me një gjuhë që, mundësisht, parë nga sytë e një fillestari, kuptimi të vijë intuitivisht, pa pasur nevojë për të hulumtuar shumë mbi kontekstin e asaj që po sheh përpara se ta kuptojë. Thjesht çështje pragmatike. Në rastin konkret, mesazhi në fjalë shfaqet në historikë faqesh kur një pjesë e një versioni të vjetër është fshehur nga administratorët. (Kjo zakonisht ndodh kur përmbajtja në fjalë ka fjalë fyese ose të dhëna vetjake private që s'duhet të ishin bërë publike.) Nëse një fillestar sheh "lëndë e fshehur" ai e ka të vështirë të kuptojë ekzaktësisht se çfarë po lexon pa hulumtuar më shumë mbi shënimin derisa të kuptojë kontekstin. Kjo për arsye se termi "lëndë" për një pjesë të madhe të popullsisë ndërlidhet fuqishëm me konceptin fizik të materies dhe nuk do të ishte çudi që projektet Wiki të flisnin dhe për materien duke pasur parasysh shumëllojshmërinë e tematikave në to. Kjo shkakton konfuzion te lexuesi në këtë drejtim. Nga ana tjetër, leximi "përmbajtje e fshehur" sjell më lehtësisht në mendje censurën që mund të ketë ndodhur (që është dhe rezultati i kërkuar).
Gjithsesi, siç ceka, kur punoj me këto lloje mesazhesh, zakonisht i marr në grup dhe duhet t'i rikthehem 2-3 herë për t'i latuar mjaftueshëm që të vijnë mire e natyrshëm bashkë nga ana sintaksore. Nuk është çudi që t'i rikthehem përsëri kur të shoh se në ndonjë rast termi "përmbajtje e fshehur" sjell konfuzion kur qëllon të bashkohet me ndonje mesazh tjetër.
Tungjatjeta!
Së pari kërkoj ndjesë për përgjigjen e vonuar. (Mundet ta kem humbur fillin e komenteve këtu, ose platforma nuk sinjalizon kur ka përgjigje/komente të reja.)
Shkruani: “Etimologjikisht ama, dhe nëse e shohim situatën me preskriptivizëm, të dyja fjalët qëllojnë të jenë me rrënjë shqipe.” Unë nuk vura këtë në dyshim. Vura nevojën për të sajuar një term të ri, të përkthyer me mundim nga italishtja, ndërkohë që shqipja kishte tashmë një term të përshtatshëm. Unë edhe mund t’i hyj parjes së “situatës” me “preskriptivizëm”, por nuk e di se ç’do të thotë kjo. Së pari do të duhej përkufizuar “preskriptivizmi”. Fjalorët që konsultoj zakonisht, nuk e kanë termin.
Shkruani: “Çështja e semantikës është pak tangenciale”. Unë besoj se ana semantike (për lexuesin pa përvojë: semantikë është dega e gjuhësisë që merret me kuptimin e njësive gjuhësore) është e dorës së parë në përkthime.
Shkruani: “Për sa i përket gjatësisë, në rastin tonë nuk hasim në kufizime me asnjërën nga fjalët.” Mundet edhe të jetë kështu. Por, kur flas për ekonomi të përkthimit në programe, nuk kam parasysh vetëm botën wiki, por edhe programe dhe platforma të tjera.
Shkruani: “Nëse një fillestar sheh "lëndë e fshehur" ai e ka të vështirë të kuptojë ekzaktësisht se çfarë po lexon pa hulumtuar më shumë mbi shënimin derisa të kuptojë kontekstin. Kjo për arsye se termi "lëndë" për një pjesë të madhe të popullsisë ndërlidhet fuqishëm me konceptin fizik të materies … Kjo shkakton konfuzion te lexuesi në këtë drejtim. Nga ana tjetër, leximi "përmbajtje e fshehur" sjell më lehtësisht në mendje censurën që mund të ketë ndodhur (që është dhe rezultati i kërkuar).” Këtu bëhen përgjithësime për të cilat ju nuk keni statistika mbi të cilat t’i bazoni. Para se të arrihej te koncepti i materies, nxënësit praktikonin për vite konceptin e “lëndëve mësimore”. Është e vështirë të besohet që fjala “lëndë” së pari t’u sjellë materien dhe çështjet filozofike në mend dhe jo kuptimin tjetër…